Fitimi i tregut të sigurimeve arriti në gati 37 milionë euro vitin e kaluar

Tregu shqiptar i sigurimeve regjistroi në vitin 2025 fitimin më të lartë në historinë e tij, duke shënuar një kthim të fuqishëm në rritje. Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, fitimi neto i sektorit arriti në 3.54 miliardë lekë, ose rreth 36.6 milionë euro, duke u rritur me 55.8% në terma vjetorë.

Segmenti i sigurimeve të Jo-Jetës mbeti kontribuesi kryesor, me një fitim prej 3.14 miliardë lekësh, në rritje me 56.3%. Ndërkohë, sigurimet e Jetës gjeneruan 402 milionë lekë fitim, duke shënuar rritje vjetore prej 51.7%.

Treguesit e rentabilitetit pasqyruan këtë dinamikë pozitive: kthimi nga kapitali u rrit në 16.02%, nga 11.2% një vit më parë, ndërsa kthimi nga aktivet kaloi në 5.62%, krahasuar me 3.98% në 2024.

Rritja e primeve të shkruara bruto me 10.6% konsiderohet si faktori kryesor shtytës i performancës. Sigurimet motorike të detyrueshme vazhduan të dominojnë tregun, duke zënë 68.6% të primeve totale. Sistemi i ri i llogaritjes së primeve mbi bazë rreziku, i zbatuar vitin e kaluar, ndikoi në rritjen e primeve të brendshme TPL me 13.3%. Aktivet totale të tregut arritën në 63 miliardë lekë, duke u zgjeruar me 10.3% gjatë vitit.

Leave a Reply

Discover more from

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading