Tregu i qirasë financiare në Shqipëri vijoi të shënojë rritje të ndjeshme gjatë vitit 2025, duke regjistruar për të dytën herë radhazi një rritje dyshifrore. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, portofoli total i lizingut arriti në 14.1 miliardë lekë, ose rreth 146 milionë euro, duke u zgjeruar me 12.8% krahasuar me një vit më parë.
Mjetet e transportit mbeten kategoria dominuese e këtij tregu. Automjetet personale zënë 67% të portofolit total dhe shënuan një rritje vëllimore prej 81% gjatë vitit, ndërsa mjetet e punës, që zënë 24% të tregut, pësuan një rënie të lehtë prej 2.3%. Pajisjet industriale dhe linjat e prodhimit, me një peshë prej rreth 7%, u rritën me 22%, duke arritur vlerën e 960 milionë lekëve. Portofoli i qirasë financiare për pasuri të paluajtshme mbetet modest, me vetëm 170 milionë lekë, ose 1.2% të totalit.
Ekspertët vlerësojnë se ekspansioni i turizmit ka qenë një nga shtytësit kryesorë të këtij tregu, duke nxitur kërkesën për automjete elektrike, flota taksish dhe pajisje mjekësore. Aktualisht, dhjetë institucione të licencuara ofrojnë shërbime lizingu në vend, ndërsa disa banka tregtare e kanë përfshirë këtë produkt në portofolin e tyre.

Leave a Reply