Qeveria shqiptare ka propozuar një skemë të re financiare për mbështetjen e fëmijëve pa kujdes prindëror, të cilët jetojnë pranë familjeve kujdestare. Projektvendimi, i iniciuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale, parashikon tre lloje pagesash që u drejtohen si fëmijëve ashtu edhe familjeve që ofrojnë këtë shërbim.
Çdo fëmijë i vendosur në kujdes alternativ familjar do të përfitojë 12 mijë lekë në muaj për nevojat bazë të jetesës, si dhe 35 mijë lekë shtesë në muaj për mbulimin e shpenzimeve të tjera. Familjet kujdestare profesionale do të marrin një pagesë mujore në nivelin e pagës minimale, e cila do të trajtohet si marrëdhënie punësimi me kontratë, në përputhje me Kodin e Punës.
Për vitin e parë të zbatimit, kostot totale parashikohen të arrijnë afërsisht 70 milionë lekë, ndërkohë që për periudhën 2026-2028 buxheti i parashikuar kap vlerën e rreth 221 milionë lekëve, ose rreth 2.3 milionë euro. Skema synon të nxisë integrimin e fëmijëve në mjedise familjare, duke reduktuar numrin e atyre që rriten në institucione rezidenciale dhe duke u siguruar atyre kushte sa më të ngjashme me jetën normale familjare.

Leave a Reply