Shtetet e Bashkuara dhe Meksika kanë hapur raundin e tretë të negociatave për rishikimin e Marrëveshjes Tregtare USMCA, ndërkohë që Kanadaja vazhdon të mungojë nga tryeza e bisedimeve, në kushtet e një klime gjithnjë e më të tensionuar tregtare në rajonin e Amerikës së Veriut.
Negociatat po zhvillohen në Ciudad de Mexico dhe vijnë menjëherë pas vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për të vendosur tarifa prej 50% ndaj një sërë mallrave kanadeze, një hap që ka ashpërsuar ndjeshëm marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Otavës.
Në qendër të kërkesave amerikane qëndron dëshira për të ngushtuar deficitin tregtar, për të rikthyer prodhimin industrial brenda SHBA-së dhe për të rritur peshën e komponentëve amerikanë në produktet rajonale, me fokus të veçantë te industria e automjeteve. Meksika, nga ana e saj, synon të arrijë një marrëveshje të re deri në fund të vitit dhe kërkon heqjen apo zbutjen e tarifave amerikane në sektorët e çelikut, aluminit dhe automjeteve.
Një çështje tjetër që zë vend të rëndësishëm në negociata është parandalimi i hyrjes së produkteve kineze në tregun amerikan nëpërmjet Meksikës ose Kanadasë. Diferencat e thella midis palëve lënë të kuptohet se rruga drejt një marrëveshjeje përfundimtare mbetet ende e gjatë dhe e ndërlikuar.

Leave a Reply