Aktivisti Ilir Xhemalaj mori fjalën gjatë protestës së 53-të kundër kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se ditët e kësaj qeverie janë të numëruara. Sipas tij, ekzekutivi aktual po tenton të gjejë rrugëdalje nga kriza politike, por përpjekjet e tij janë të dënuara me dështim.
“Kësaj qeverie i ka ardhur fundi. Po bën çdo gjë që të shpëtojë, por nuk do të shpëtojë”, u shpreh Xhemalaj, duke shtuar se nismat për shfuqizimin e ligjeve nuk janë prioritet i protestuesve, të cilët kërkojnë vetëm dorëheqje.
Aktivisti ngriti shqetësime edhe për gjendjen ekonomike të qytetarëve, duke folur për rritjen e çmimit të naftës dhe ushqimeve, duke e cilësuar këtë fenomen si pasojë e drejtpërdrejtë e grupeve të interesit që operojnë në vend. Ai kritikoi ashpër edhe Presidentin e Republikës, i cili sipas tij mbështet protestat në vendet e tjera, por hesht ndaj atyre në Shqipëri.
Ndër kërkesat kryesore të ngritura nga Xhemalaj ishin dorëheqja e qeverisë Rama dhe hartimi i një kodi të ri zgjedhor, si kushte thelbësore për një ndryshim të vërtetë politik në vend.

Leave a Reply