Ndryshimet e parashikuara në ligjin “Për sistemin e pagesave” pritet të hapin rrugën për pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të institucioneve financiare jobanka në sistemet kombëtare të pagesave. Drafti përkatës është depozituar tashmë në Kuvendin e Shqipërisë nga Banka e Shqipërisë, e cila synon nëpërmjet këtyre amendamenteve zgjerimin e kategorive të subjekteve pjesëmarrëse, rritjen e konkurrencës dhe të efikasitetit në tregun e pagesave, si dhe nxitjen e përdorimit të instrumenteve elektronike.
Kjo kërkesë ka qenë prej kohësh në axhendën e institucioneve financiare të pagesave, sidomos pas miratimit të ligjit “Për shërbimet e pagesave”, i cili transpozoi Direktivën Europiane PSD 2. Argumenti kryesor i këtyre institucioneve është se konkurrenca e drejtë dhe e barabartë në tregun e pagesave mbetet e pamundur, për sa kohë që vetëm bankat tregtare gëzojnë të drejtën e pjesëmarrjes direkte në sistemet e pagesave, ndërsa institucionet jobanka janë të detyruara të shlyejnë pagesat nëpërmjet tyre.
Aktualisht, pjesëmarrësit në sistemet kombëtare të pagesave ndahen në kategori të ndryshme, ku bankat tregtare dhe Banka e Shqipërisë mbajnë pozicionin e pjesëmarrësve të drejtpërdrejtë, me të drejta shlyerje të plota dhe të pavarura.

Leave a Reply