Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, KESH, ka nënshkruar një kontratë me vlerë 425,695 euro me kompaninë Colenco Ltd., me seli në Shkup të Maqedonisë së Veriut, për shërbime mbështetëse në zbatimin e projektit të parkut fotovoltaik të Belshit. Kontrata, e formalizuar më 20 korrik 2026, parashikon përfundimin e shërbimeve më 26 prill 2030 dhe u njoftua përmes platformës së Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Konsulenti do të mbështesë KESH-in në fushën e prokurimit, tenderimit, administrimit të kontratave, raportimit, si dhe në përmbushjen e detyrimeve mjedisore e sociale, duke mbuluar të gjithë projektin dhe jo vetëm komponentin e financuar nga BERZH-i.
Projekti i Belshit parashikon ndërtimin e një centrali diellor tokësor me kapacitet 50 MWp në Shqipërinë qendrore, me kosto totale të vlerësuar në 41.67 milionë euro. BERZH-i ka aprovuar një kredi deri në 30 milionë euro, të garantuar nga shteti shqiptar, ndërsa 9.25 milionë euro shtesë do të sigurohen nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Centrali pritet të prodhojë mesatarisht mbi 70 GWh energji elektrike në vit, duke përfaqësuar rreth një për qind të prodhimit kombëtar vjetor.

Leave a Reply