Transporti detar, prej kohësh i konsideruar si kanali më i sigurt dhe ekonomik i tregtisë botërore, po kalon nëpër një fazë të re pasigurie. Ngushtica e Hormuzit, Deti i Kuq dhe Deti i Zi — tre nga korridoret më strategjike detare — operojnë njëkohësisht nën kërcënime të larta gjeopolitike, duke i detyruar kompanitë e transportit të rishikojnë tërësisht mënyrën si planifikojnë lundrimin.
Përshkallëzimi më i fundit vjen nga Jemeni. Rebelët Huthi kanë shpallur ndalimin e plotë të lundrimit drejt dhe nga portet saudite, duke hyrë në fuqi që nga 20 korriku. Sipas deklaratës së publikuar përmes Qendrës së Koordinimit të Operacioneve Humanitare, çdo anije në afërsi të porteve të Arabisë Saudite mund të trajtohet si objektiv ushtarak. Ky është një zhvillim i rëndësishëm: ndryshe nga më parë, kur sulmet synонin kryesisht anijet me lidhje izraelite apo perëndimore, tani kërcënimi prek drejtpërdrejt një nga eksportuesit më të mëdhenj të naftës në botë.
Ekspertët paralajmërojnë rritje të primeve të sigurimit, shtrenjtim të kostove të transportit dhe ridrejtim të rrugëve detare. Edhe Deti i Zi po shndërrohet gjithnjë e më shumë në vatër tensionesh, duke shtuar presionin mbi zinxhirët globalë të furnizimit dhe tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Leave a Reply