Licencat profesionale të shoqërive të ndërtimit do të kenë një afat vlefshmërie prej deri në 5 vjetësh, ndërsa licencat e individëve do të lëshohen pa afat të përcaktuar. Kjo parashikohet në rregulloren e re të botuar në Fletoren Zyrtare, e cila rregullon kriteret dhe procedurat e licencimit profesional për subjektet që ushtrojnë veprimtari në studim, projektim, mbikëqyrje dhe kolaudim të punimeve të ndërtimit.
Për shoqëritë vendase, vlefshmëria e licencës lidhet drejtpërdrejt me afatin e kontratës me drejtuesin teknik, por në asnjë rast nuk mund të kalojë pesë vjet. E njëjta logjikë zbatohet edhe për subjektet e huaja, si dhe për shoqëritë që operojnë në fushën e mbikëqyrjes dhe kolaudimit.
Rregullorja parashikon gjithashtu se kërkesa për shtimin e kategorive në një licencë ekzistuese mund të paraqitet vetëm pas një viti nga lëshimi i saj, me përjashtim të rasteve kur ndryshimet lidhen me shtimin e drejtuesve teknikë. Aplikimi për rinovim dhe për shtesa në licencë do të kryhet tërësisht nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”, i shoqëruar me dokumentacionin teknik përkatës, duke përfshirë CV-në, projekte dhe certifikata specializimi.

Leave a Reply