Standardet e kreditimit për individët shënuan lehtësim gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, sipas vrojtimit të aktivitetit kreditues të Bankës së Shqipërisë. Ky zhvillim ishte në përputhje me pritjet e bankave të shprehura tre muaj më parë dhe u konstatua si në kreditë për blerjen e banesave, ashtu edhe në ato konsumatore.
Lehtësimi i standardeve erdhi si pasojë e konkurrencës së shtuar në sistemin bankar dhe e një tolerance më të lartë të bankave ndaj rrezikut. Shkalla e miratimit të kredive u rrit gjithashtu, e nxitur kryesisht nga historiku i marrëdhënieve të klientëve me bankat, ndërkohë që të dhënat e Regjistrit të Kredive dhe niveli i të ardhurave u vlerësuan si faktorë frenues.
Kërkesa e individëve për kredi u raportua në rritje, e stimuluar nga nevoja për financimin e blerjes së banesave dhe konsumit, besimi konsumator, normat e interesit dhe ligji për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme. Bankat parashikojnë vazhdimin e lehtësimit të standardeve edhe në tremujorin e tretë.
Megjithatë, për pesëmujorin janar-maj 2026, kredia e re për banesa zbriti në 27.6 miliardë lekë, duke shënuar rënie prej 4.2% në terma vjetorë, pas rekordit historik të vitit të kaluar prej 64.4 miliardë lekësh.

Leave a Reply