Autoritetet greke kanë nisur një hetim të gjerë pas një zbulimi të rëndë në qendër të Athinës. Një valixhe me pjesë trupi njerëzor u gjet të shtunën rreth orës 14:00 në rrugën Evelpidon, në lagjen Kypseli, jo larg ambienteve të Universitetit Panhelenik. Alarmin e ra një person i pastrehë, i cili vuri re valixhen dhe njoftoi menjëherë policinë. Sipas mediave greke, nga objekti vinte një erë e fortë, ndërsa dyshohet se një këmbë, me shumë gjasa e një burri, ishte e dukshme jashtë saj.
Në vendngjarje u dërguan forca të shumta të Policisë Helenike, ndërsa autoritetet thirrën edhe një ekspert mjeko-ligjor për ekzaminimet fillestare. Dëshmia e personit që bëri zbulimin është marrë dhe hetimet janë zgjeruar me analizimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë së ndërtesave në zonë, me synim identifikimin e autorit ose personave që mund ta kenë lënë valixhen atje. Rasti ka ngritur shqetësim të madh, duke pasur parasysh se ngjarja ndodhi në një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit grek. Hetimet vazhdojnë për të identifikuar viktimën dhe zbardhur rrethanat e këtij krimi të rëndë.

Leave a Reply